Populli - Lapidari i Vargjeve për Ismail Qemalin


...Erdhi lajmi i zi për Vlorën 
ullinjtë ulën kurorën 
Shqipëria e la këngën 
se një plag' ju hap në zëmër. 
Shushica vrapin e ndali, 
thonë vdiq 'Smail Qemali. 
Flamurin e mbuloi zia, 
vajton për të zotnë e tija... 

...Kur mbi arqe ku ish Plaku 
u duk ngjyr'e një bajraku... 
ish bajraku Italisë! 
Gjëmoj zër'i djalërisë! 

Na u duk se Plaku vetë 
nëpër heshtje diç na pyet, 
sikur pyeti më përpara 
"Ku ësht'flamuri që vara?" 

...Vlora bëri si e deshi, 
me bajrak të saj'e veshi, 
veshi Plakun me bajrak 
me bajrakun ngjyrë gjak! 
Me një shkab'të zez'në mes, 
dhe i vdekuri që s'vdes 
mori udhën për në Vlorë... 

Mbyllur det' edhe stere 
Kush do pyes? ... edhe përse? 
E kush pyet për Shqipërinë, 
Rreth me male një shketinë 
E pa zë dhe e pa zotë 
Vetëm vlente për një botë 
Që të bënej ndonjë ditë, 
Një thërime një kafshitë 
Për atë e për këtë, 
Vleft'e saja hë për hë, 

Dele dajos........ 
Kur nji ditë, 
Vjen e çfaqet një Profitë; 
Ish njI plak i bardhë borë, 
Nji bajrak me zok në dorë; 
Çan tokë e çan detë 
Si i çan rrufeja retë; 
Edhe zbriti mu atje 
Ku i than nga se për se 
Po atje në atë vëndë, 
Dy të prishurit na mëndë, 
Jo që nuk i than "miserdhe" 
Po i than dhe "shko nga erdhe!" 

Plaku gjorë e plaku mjerë, 
Ku do vejë e ku do bjerë, 
Nëpër erë e nëpër shira 
Nëpër gropa me shëllira? 

Iku ditë e iku natë 
I mungon dhe buk' e thatë; 
Edhe buka i mungonte, 
Vëtan zêmra i valonte. 

Si ish baltë, këmba kridhej, 
Si ish plakë, trupi dridhej, 
Andej ruhej nga armiku, 
Këtej ruhej nga i ligu. 

Mirpo plaku bëri krahë; 
Kaloj male, kaloj brigje, 
Kaloj pellgje të pa vahë, 
Kaloj pyje të pa shtigje 
Syr' i tija një yll shihte 
Dita yllin po e fshihte. 

Plaku iku, iku, iku 
Pas ca dite një mëngjes, 
Kur dëgjon një zë kikiku, 
Një qytet i gjithë u ndes. 

Ish një vend, një vend i lirë 
Që në gjuhën më të mirë 
Që në gjuhën e Asllanit, 
I thon vëndi i jataganit; 

I thon Vlon' e i thon Vlorë 
Ku Shqiponja dy krenorë, 
Gjeti gjithë ata që deshi, 
Djem baroti, djem arbreshi, 
Me besë burri armatosur, 
Trimëri që s'ka të sosur, 

E kush ishte ai plakë? 
E kush ishte ajo flakë? 
Si një yll që është këputur 
Në një arqe brenda futur, 

Na harriti.... Kuje sotë 
Nuk na erdhi si e deshëm, 
Po në dhe se fusëm dotë 
Pra në zêmra do t'a ngjeshim. 
Dhe aty do rroj sa malet 
Shpirti tija nuk do falet 
Nuk do falet po si Dielli, 
Ku bashkohen det e qielli, 
Atje shuhet ashtu duhet, 
Qarko botës zë e muhet; 

Mirpo dielli dhe atëherë, 
Shkrep dhe shtie mbi të tjerë; 
Dielli mbet gjithnjë Diell, 
Kurdoherë me kokë në qiellë, 

Edhe Plaku këtë ditë, 
Si njeri mbaroi jetë 
Mir po Plaku i vërtetë 
Ish Profit dhe mbet Profit; 
Dhe qëndron ashtu si ishë; 
Do mbaj emrin si e kishë; 
Emr'i tija i vërtetë; 
Esht Nëntor njëzet' e tetë.
Populli - Lapidari i Vargjeve për Ismail Qemalin Populli - Lapidari i Vargjeve për Ismail Qemalin Reviewed by adm1n on November 11, 2018 Rating: 5

No comments:

Powered by Blogger.